1920/Shijaku u caktua kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë

Hënë, 11 February 2019 17:54
Procesverbali i datës 6 shkurt 1920 i Këshillit të Ministrave në Kavajë. Burimi AQSH Procesverbali i datës 6 shkurt 1920 i Këshillit të Ministrave në Kavajë. Burimi AQSH

Nga Kastriot Dervishi

Kongresi i Lushnjës, i mbledhur më 21-31 janar 1920, në rolin e një asambleje kombëtare nuk diskutoi dhe as caktoi kryeqytetin e Shqipërisë sepse i tillë ishte Durrësi i vendosur më 10.4.1914. Kongresi ishte mbledhur për çështje të tjera madhore. Kongresi mori disa vendime si dhe miratoi një kornizë kushtetuese të përkohshme si kanunorja, por në asnjë germë të vendimeve të tij, nuk u mor me çështjen e kryeqytetit. Pas mbarimit të punimeve të kongresit, Këshilli i Naltë dhe qeveria u bënë gati për në kryeqytet, në Durrës, ku do të vendoseshin dhe do ushtronin detyrat e tyre. Meqenëse Durrësi ishte i pushtuar forcat ushtarake italiane, këta lajmëruan se nuk i lejonin të hynin në këtë kryeqytet. Organet e reja qëndruan edhe disa ditë në Lushnje. Mbledhjen e parë, qeveria e re e zhvillon në Lushnje më 5.2.1920. U vendos:

-Qeveria dhe Këshilli i Naltë të shkojnë në Kavajë dhe aty të merrnin vendime mbi të ardhmen e tyre.

-Delegatët e kongresit të shpërndahen.

-Parlamenti të çelet më 15.2.1920 (nuk u realizua pasi u çel më 27.3.1920).

Mëngjesin e datës 6 shkurt, qeveria telegrafon prefektin e Beratit XhaferYpi ku e udhëzon për të bërë emërimet e organeve të varësisë. Qeveria dhe Këshilli i Naltë nisen dhe vendosën në Kavajë po atë ditë.

Më 6.2.1920, ora 20.30, në shtëpinë e Ahmet beut në Kavajë, qeveria vendosi:

-Dërgimin në Paris të Fazslli Frashërit për të marrë informacione nga delegacioni shqiptar në konferencën e paqes.

-U vendos të bëhej Shijaku kryeqytet i përkohshëm (“qendër përkohësisht”) dhe Ahmet Zogu do të shkonte në Tiranë.

-Fazlli Frashërit do i jepej 5 mijë franga për delegacionin në Paris.

Vendimi është nënshkruar nga Hoxha Kadri, Sotir Peci, NdocÇoba, Eshref Frashëri, Ahmet Zogu. Caktimi i Shijakut kryeqytet i përkohshëm kishte logjikë sepse ishte afër Durrësit. Mirëpo ky nuk mundi të jetë. Ndikoi raportimi i Ahmet Zogut për Tiranën. Nga mbledhja e Kavajës, Tirana u bë kryeqytet i përkohshëm. Prej këtej, qeveria dhe regjenca u nisën në kryeqytetin e përkohshëm. Dita kur Këshilli i Naltë dhe Këshilli i Ministrave hynë në Tiranë, pra më 11 shkurt 1920, është nisja e jetës së Tiranës si kryeqytet, por për këtë datë nuk është marrë asnjë lloj vendimi. Mbledhja e parë e Këshillit të Ministrave në Tiranë, përfshi edhe betimin e tij, i takon datës 12 shkurt 1920. Me njoftimin nr.4, datë 13.2.1920, zëvendëskryeministri Eshref Frashëri, njoftonte përfaqësuesit e qeverisë së Durrësit, Mustafa Kruja dhe Fejzi Alizoti për vendimet e Kongresit të Lushnjës dhe nënshkrimin me vonesë të delegatëve që nuk ishin në Lushnje. Lutej dorëzimi i akteve të administratës në kryeqytetin e përkohshëm që ishte zgjedhur Tirana.

Çështja e kryeqytetit si dhe e formës së regjimit ishin në qendër të fushatës zgjedhore të vitit 1923. Forcat politike të kësaj kohe kishin në programet e tyre që kryeqyteti i vendit të ishte një nga këto qytete: Shkodra, Tirana, Vlora dhe Elbasani. Ndërkohë Durrësi vazhdonte të ishte juridikisht kryeqytet i vendit.

Në mbledhjen nr.68, datë 31.1.1925 Kuvendi Kushtetues vendosi në nenin 6 të statutit (kushtetutës) që Tirana të ishte kryeqytet i Shqipërisë. Propozimi i lexuar nga kryetari i Kuvendit, Eshref Frashëri u kundërshtua nga deputeti Taq Buda. Ferit Vokopola mbrojti variantin që Tirana të jetë kryeqytet dhe në fund thirri: “Rroftë Tirana kryeqytet”. Kryetari e hodhi në votim dhe me shumicë të madhe u vendos Tirana kryeqytet i Shqipërisë. Përfundimisht, Kuvendi Kushtetues më 23.2.1925 mbylli votimin e gjithë statutit të republikës.

Modifikuar më Hënë, 11 February 2019 17:56

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

U kapën me drogë, arrestohen 3 të rinj në Itali, mes tyre një shqiptar

Bota Shqiptare

U kapën me drogë, arrestohen 3 të rinj në Itali, mes tyre një shqiptar

Tre të rinj, mes të cilëve një 24-vjeçar shqiptar, janë arrestuar ditën e sotme në Itali, pasi dyshohen si shpërndarës droge. Djemtë e fshihnin mallin dhe të ardhurat e përfituara...

Netanyahu do i vendosë emrin e Donald Trump një vendbanimi në lartësitë Golan

Globi

Netanyahu do i vendosë emrin e Donald Trump një vendbanimi në lartësitë Golan

Izraeli njoftoi se do të emërojë një vendbanim në Rrafshnaltën e Golanit me emrin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Ky veprim, sipas autoriteteve izraelite, bëhet si shenjë mirënjohje për...

“Shkrimtarja e “50 Hijet e Greit” krijon perceptim negativ për shqiptarët”

Aktualitet

“Shkrimtarja e “50 Hijet e Greit” krijon perceptim negativ për shqiptarët”

Autorja e sagës erotike, “50 Hijet e Greit”, Erika Leonard James, është përballur më kritika për mënyrën se si i përshkruan shqiptarët në librin e saj të ri. Ambasadori shqiptar në...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!