Propaganda ylberiste s’fsheh faktin se i ati i kryetarit të Partisë Socialiste ka firmosur varjen e një poeti në qytetin e Kukësit. Skulptori i Enverit ka firmosur kundër “armikut të popullit”, ndërkohë që sot, i biri i skulptorit, mërzitet se pse zbulohen eshtrat e viktimave të regjimit më të egër komunist në Evropë
Daktilografisti i Presidiumit të Kuvendit Popullor atë ditë të nxehtë gushti 1988 ishte i mbytur në djersë. Por teksa hidhte në letër dekretin për varjen e “armikut të popullit”, poetit Havzi Nela, ai kishte kujdesin që krahas emrit të shokut Ramiz, përbri dhe paralel me të, të ishte edhe emri i “skulptorit të popullit” Kristaq Rama. Kësisoj, “skulptori i popullit” kishte rast të hidhte firmën mbi një dekret që do të çonte në litar “armikun e popullit”, duke i shtuar kështu biografisë së tij një element më shumë krenarie komuniste.
Kësisoj poeti Havzi Nela që jetonte i pa rehatuar sa në burgje, internime e vende të padëshiruara prej tij, shkonte drejt litarit me firmën e Kristaqit dhe shokëve të tij të cilët ndonëse nuk ishin më shumë se gjysma e anëtarëve të Presidiumit, dhanë bekimin për forcimin e “pushtetit popullor”. Përveç të tjerash Kristaq Rama një njeri që dizenjtonte në art gjithë frymën e regjimit në art, çka mund të shihet në skulpturat e tij të llojit “lart frymën revolucionare”, ku konceptohet “njeriu i ri” i zhveshur nga çdo lloj formimi tjetër veç atij marksist – leninist me dorën lart, me kazmë e me pushkë, me një portret nervoz (p.sh. si ai i Edvin Ramës), me ngurtësim gati shekullor që bënte thirrje për të mbajtur gjallë frymën kundër armiqve dhe po kaq të ishte e thellë lufta kundër tyre. Padyshim që kur ka hedhur gjithë kënaqësi nënshkrimin e tij në dekretin e varjes, Kristaq Rama ka pasur parasysh edhe frymën revolucionare që kërkonte partia pasi ai kishte gdhendur në art pikërisht këtë frymë dhe për të duhet të vepronte edhe si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Si deputet i Durrësit në disa legjislatura, ai nuk i ishte ndarë shoqes Nexhmije Hoxha në të gjitha punimet e Kuvendit Popullor, ndërsa ishte përdorur në takime speciale si në ambasadën e italiane kundër familjes Popa, e cila qëndronte aty prej vitesh. Për ironi të fatit edhe të futurit në ekzil në këtë ambasadë “kishin qëlluar” në zonën zgjedhore të Kristaqit.
Por rasti i Havzi Nelës është një prej rasteve më tipike të ekzekutimit të pashembullt. Ishte koha kur në Europë po frynte një erë lirie dhe as që mund të mendohet një ekzekutim i tillë.
Pikërisht edhe për shkak të kësaj trashëgimie komuniste (kriminale) Edvin Rama është ai që njohim sot, një skulpturë e gjallë e Kristaq Ramës, jo nga ato skulpturat që bënte me ndihmës, një skulpturë e llojit “lart frymën revolucionare”.
|  Komente |