OPINION

Mbi pėrvijimin e forcave tė djathta nė Kosovė

07-02-2010 / Nga Donik Sallova

Përkundër faktit që sot pretendohet që skena politike e Kosovës ende nuk është e definuar mbi baza të qarta të ideologjive politike, në kuptim të ekzistencës së një krahu të djathtë (liberal demokratik) dhe një tjetri të majtë (social demokratik) politik, apo ekzistencës së një pozicioni ideologjik të qendrës, roli i përcaktimit/deklarimit të partive në raport me ideologjitë politike mbetet tejet i rëndësishëm në raport me komunikimin/marrëdhënien e tyre me publikun/elektoratin. Pra, përveç faktit që procesi i pozicionimit/klasifikimit real të partive politike në Kosovë në relacion me ideologjitë politike është i veçantë, e veçantë mund të konsiderohet edhe qasja/perceptimi që publiku/elektorati kosovar ka ndaj ideologjive politike dhe pozicionit të partive politike në raport me to.
Në këtë kontekst, është fare e qartë që për shkak të rrethanave politike/historike në të cilat ka kaluar populli shqiptar i Kosovës, i ndodhur nën okupim shtetëror (nga ish-Jugosllavia/Serbia) dhe okupim ideologjik (komunizmi/marksizëm-leninizmi), raporti i publikut/elektoratit kosovar në relacion me ideologjitë majtiste (në kuptimin e sotëm edhe me partitë socialiste demokratike), mbetet ende i “ftohtë” dhe mosbesues. Pra, lëvizja politike nacionale e viteve ’90 (e identifikuar me LDK-në), kauzën për pavarësi nacionale e kishte bashkuar edhe me kërkesën për demokraci, pra ishte klasifikuar edhe si lëvizje ideologjike politike djathtiste (nacional-demokratike). Mbi këtë bazë, duke qenë se LDK-ja paraqiste formacionin e parë politik demokratik, si dhe duke u identifikuar me kauzën e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, njëkohësisht, ajo paraqiste antitezën (kundërshtarin real politik) e sistemit totalitar politik serbo-jugosllav dhe atij ideologjik socialisto-komunist në Kosovë.
Nga sa u tha më lartë, është e kuptueshme mbështetja politike/elektorale që Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur në proceset zgjedhore që janë zhvilluar në Kosovë që nga viti 1992 e deri në zgjedhjet e vitit 2007, përkatësisht deri me vdekjen e udhëheqësit të saj historik Ibrahim Rugova. Mbi këtë bazë, duke qenë se LDK-ja është bërthama nga ku kanë dalë strukturat politike të partive politike të formuara më vonë (me përjashtime të parëndësishme), edhe elektorati i këtyre partive politike burimin e vet e ka pasur dhe synon ta ketë në tërësinë e elektoratit që e ka pasur dhe e ka potencialisht LDK-ja, përkatësisht ai që mund të konsiderohet potenciali elektoral që lidhej me Ibrahim Rugovën dhe që sot pretendohet të trashëgohet/përfitohet jo vetëm nga LDK-ja. Prandaj, “beteja” elektorale/politike/publike që po bëhet për “fronin” e së djathtës nga partitë politike në Kosovë, aq sa është logjike (elektoralisht), është edhe e pamoralshme dhe jokorrekte (politikisht). Beteja është logjike sepse dihet mirëfilli se, vetëm një (parti) e djathtë (liberal demokratike) mund të pretendojë të jetë trashëguese/përfituese/fituese e tërësisë se elektoratit rugovian (të djathtë) dhe se vetëm duke i pretenduar kuotat e asaj shumice elektorale që kishte Rugova, mund të pretendohet arritja e një fitore absolute elektorale/politike në Kosovë, që do të mundësonte qeverisjen mbi bazën e një programi të qartë politik/ideologjik. Kjo betejë është e pamoralshme politikisht, sepse synimi për ta përfituar elektoratin e djathtë rugovian pretendohet edhe nga ato parti politike (siç perceptohet Partia Demokratike e Kosovës), themeluesit/bartësit e së cilave ndarjen/shkëputjen nga koncepti politik i LDK-së (nga vitet ’90 e tutje) e kanë bërë edhe për motive të fuqishme ideologjike (majtiste).

...

 Komente

Emri:
E-mail:
Komenti:
Kodi: Shkruani kodin qe shihni me larte...

 
Webmaster LJC-DESIGN   .:|:.   Editor Online: Leonard Quku