OPINION

Prof. Rexhep Krasniqi, kolos i madh i patriotizmit shqiptar

07-02-2010 / Nga Sejdi Peka

Me rastin e 11 vjetorit të vdekjes.

Me 13 Shkurt 1999, në Nju Jork, pushoi së rrahuri zemra e njërit nga patriotët më të shkëlqyer të kombit shqiptar, ish-Kryetarit të Komitetit “Shqipëria e Lirë” për 35 vjet me radhë në vitet 1956-92, njeriut që gjithë jetën ia kushtoi një Shqipërie të lirë, të bashkuar si komb në Europën demokratike. Vdekja e Krasniqit ishte një humbje e madhe jo vetëm për emigracionin politik në Europë dhe Amerikë, por për mbarë kombin shqiptarë. Jeta e këtij shkencëtari të letrave shqipe, është njëkohësisht një jetë plot me përpjekjet e një luftëtari të madh për lirinë e Shqipërisë, që nga rinia më e hershme deri në vdekje. Është me të vërtetë për të ardhur keq se akoma sot pas 20 vjet të rënies së komunizmit, historia e kombit tonë po vazhdon të vlerësohet sipas mendimeve të historianëve që vijnë nga katedrat e shkollës së Partisë Komuniste, që për një gjysmë shekulli diktaturë hodhën sa mundën baltë mbi nacionalistët antikomunistë të kombit tonë. Nuk është për t’u çuditur, se disa kohë më parë në Parlamentin e Shqipërisë, në një seancë plenare që po diskutohej kontributi i këtyre patriotëve për lirinë e Shqipërisë, Kryeministri Berisha u drejtohet deputetëve: “E njihni ju se kush është Rexhep Krasniqi?”. Dhe pas një heshtjeje, përsëri Kryeministri shprehet si me keqardhje “e shikoni se nuk e njihni”.
Rexhep Krasniqi ka lindur në Gjakovë në vitin 1906, në një familje e ardhur nga Margegaj e Tropojës. Prindërit i vdiqën shumë herët duke e lënë jetim djalin e vogël kur ishte vetëm 8 vjeç. Ai u rrit në kujdesin e Bajram Currit që e kishte edhe të afërt nga fisi duke e rritur si djalin e tij “bir në shpirt”, si quhet në Kosovë në këto raste. Shkollën fillore e nisi në Gjakovë dhe për ta vazhduar në Shkodër. Në vitin 1920, djali i ri në kujdesin e Bajram Currit u nis për në Vjenë për të kryer shkollën e mesme “Therasianum” që ishte nga shkollat më të dalluara në tërë Europën Qendrore. Duke vazhduar shkollimin si një student mjaft i talentuar në 15 vite të qëndrimit në Austri, në vitin 1934, Krasniqi mori titullin akademik “Doktor në filozofi”. Relator i tezës së doktoraturës së Krasniqit “Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria veri-lindore” ishte Karl Potch, Drejtor i Institutit Ballkanik në Universitetin e Vjenës. Në këtë mënyrë Rexhep Krasniqi është njëri nga studentët e parë shqiptarë që nderohet me këtë titull të lartë shkencor. Krasniqi është njëri nga bashkëkohësit dhe miqtë më të ngushtë të Prof.Çabejt, me të cilin ka bashkëpunuar për një kohë në drejtim të arsimit dhe shkollës shqipe. Në vitin 1935, Krasniqi kthehet në Shqipëri dhe fillon punën si profesor i historisë dhe gjeografisë në Gjimnazin e Gjirokastrës. Pak më vonë Dr.Prof.Krasniqi emërohet Drejtor i arsimit në Ministrinë e Arsimit. Në vitin 1941 në kohën e pushtimit fashist kur Kosova administrohej nga qeveria e Tiranës, Krasniqi ishte Drejtor i Gjimnazit të Prishtinës dhe Komisar i Lartë i shkollave shqipe në Kosovë. Është puna e palodhur e Krasniqit dhe meritë e tij në shërbim të Atdheut, që për një kohë mjaft të shkurtër në Kosovë u hapën mbi 400 shkolla në gjuhën shqipe, të panjohura më parë në pushtimin serb. Në vitin 1943 në qeverinë e kryesuar nga Mehdi Frashëri do t’i ngarkohet detyra e Ministrit të Arsimit. Po në këtë vit do zgjidhet në Tiranë Kryetar i Kuvendit Kombëtar të Shqipërisë së bashku me Lef Nosin, në të cilin “u shpall pavarësia, bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe neutraliteti i Shqipërisë ndaj palëve ndërluftuese”. Në këtë Kuvend morën pjesë delegatë të zgjedhur nga të gjitha viset e Shqipërisë, Kosovës dhe nga trojet e tjera të pushtuara të Malit të Zi dhe Maqedonisë. Qëllimi i këtij Kuvendi ishte që mbarimi i luftës ta gjente Shqipërinë etnike një komb të bashkuar që më pastaj të zgjidhte formën e qeverisjes në mënyrë demokratike. Por dështimi i Konferencës së Mukjes dhe bashkëpunimi i komunistëve me emisarët serbë, po tregonte se një rrezik i madh krahas luftës civile të provokuar, po i kërcënohej edhe Kosovës nga agresioni i brigadave komuniste të Titos që po i sulmonin kufijtë e saj veriorë në ballë të gjerë. Në këto kushte një grup patriotësh nacionalistë të Kosovës organizuan në Prizren me 16 Shtator 1943 “Lidhjen e Dytë të Prizrenit”, që mbetet njëri nga kapitujt më të shkëlqyer të historisë tonë kombëtare në përpjekjet për liri dhe bashkimin kombëtar. NKryetar i kësaj Lidhjeje u zgjodh Rexhep Krasniqi, ndërkohë në periudha të ndryshme kryetarë të kësaj Lidhjeje kanë qenë Musa Shehi dhe Xhafer Deva. Lidhja e Dytë e Prizrenit mori vendime të rëndësishme për organizimin e popullit të Kosovës në luftë të armatosur për mbrojtjen e kufijve etnik të saj kundër brigadave sllavo-komuniste serbe që e kishin sulmuar Kosovën për ta pushtuar. Në këtë kohë një luftë për jetë a vdekje u zhvillua ndërmjet forcave të Lidhjes dhe agresorëve serb. Më shumë se 44 fshatra u bënë shkrumb e hi nga agresori dhe mëse 50 mijë njerëz u vranë në ballin e luftës ose viktima të tjera që u pushkatuan pa gjyq në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare që po pushtoheshin nga agresori serb. Komanda e forcave ushtarake të Lidhjes iu ngarkua Kolonel Fuat Dibrës që në shtabin e tij kishte oficerë të përkushtuar për çështjen kombëtare të përgatitur në shkollat ushtarake europiane. Pothuajse i gjith Komiteti ekzekutiv i Lidhjes dhe gjith shtabi ushtarak i kësaj Lidhje do të vriteshin në ballin e luftës ose do të pushkatoheshin pasi u dorzuan një pjesë e tyre brigadave partizane shqiptare që po ndihmonin me urdhërin e Enver Hoxhës, brigadat ushtarake të Titos të pushtonin Kosovën që po luftonte për jetë a vdekje. Edhe përpjekja legjendare e Shaban Polluzhës në Drenicë do të ishte e pafat, pasi i rrethuar si ndërmjet Shillës dhe Karibdës edhe nga forcat partizane shqiptare që po e sulmonin në shpinë, rezistenca e fundit do të shuhej. Në këtë përpjekje të përgjakshme të popullit të Kosovës për liri, një kontribut të jashtëzakonshëm dhe të dalluar ka Rexhep Krasniqi. Ai do të largohej me zemër të lënduar në atë dhjetor të ftohtë kur Prishtina po digjej në flakë nga komunistët, siç shkruan Mit’hat Frashëri “jo për të shpëtuar kokën, por për të vazhduar luftën për lirinë e Shqipërisë”. Dhe me të vertetë lufta dhe përpjekja e Dr.Prof.Krasniqit për lirinë e Shqipërisë nuk pushoi asnjëherë. Me një grup nacionalistësh që kishin mbetur gjallë ai do të kalonte nëpër Kroaci dhe në këmbë do të përshkonte Alpet e Austrisë. Do të qëndronte pak kohë në Itali për të emigruar në Australi ku do të punonte si punëtor në fabrikat e “Genera Motors”. Në Australi nuk e pushoi aktivitetin patriotik. Së bashku me Xhelal Mitrovicën do të botonin gazetën “Vatra shqiptare”. Ai nuk e harroi kurrë detyrën e tij si patriot për çlirimin e Shqipërisë nga murtaja komuniste. Në një letër që i dërgonte në vitin 1951 Xhafer Deva i cili po merrej me stërvitjen në kuadrin e NATO-s të parashutistëve shqiptarë në Mynih të Gjermanisë Perëndimore në “kompaninë 4000”, i shkruante: “Gjendja në Ballkan nuk duhet të na gjejë të papërgatitur. Me një batalion luftëtarësh që do të udhëheq, unë mundem me thye kufirin nga Tropoja në drejtim të Rrafshit të Dukagjinit dhe me ngritë në kambë Kosovën që po e pret ditën e çlirimit”. Ky fakt tregon edhe strategjinë ushtarake që u përdor 48 vjet më vonë edhe nga U.Ç.K.që e thyen kufirin në drejtim të Koshares, por edhe të bashkëpunimit të Devës me Krasniqin. Qëndrimi në Australi do të ndihmonte Krasniqin të zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja sidomos anglishten. Në kujtimet e tij, Rexhep Krasniqi po më tregonte se “në Nëndorë të vitit 1956, kur isha duke punuar, më njoftuan se më kishte thirrur në zyrë Drejtori i fabrikës“, çka ishte një rast i rrallë. Kur hyra në zyrë, Drejtori të cilin nuk e njihja, u ngrit në këmbë dhe me shumë respekt më përshëndeti duke më kërkuar falje se një personalitet i rëndësishëm “i panjohur për mua” - siç u shpreh ai - paska punuar si punëtor në fabrikat e mia. Ai më njoftoi se isha i thirrur nga Departamenti i Shtetit i Sh.B.A. Menjëherë sa kam mbërritur në Uashington me ndihmën dhe financimin e qeverisë amerikane me 23 Nëntor kemi riorganizuar “Komitetin Shqipëria e Lirë” që kishte atributet e një qeverie shqiptare previzore në mërgim”. Në kuadrin e këtij komiteti përpjekjet e Krasniqit si Kryetar i këtij Komiteti nuk kanë pushuar në fushën ushtarake dhe diplomatike për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri me përkrahjen e qeverisë amerikane. Me iniciativën e ndihmën e Krasniqit dhe pranimin nga qeveria, 15 mijë shqiptarë që ishin strehuar në kampe refugjatësh në Itali, Jugosllavi, Austri, Francë etj, do të shkonin në Amerikë, do të strehoheshin dhe do t’u gjendej punë. Krasniqi ka kryesuar për një kohë mjaft të gjatë delegacionin shqiptar të ACEN, Organizata e kombeve të robëruara me seli në Paris. Ish-sigurimi komunist, sipas dokumentave arkivore, është përpjekur për vrasjen e Krasniqit gjatë punimeve të kësaj organizate duke paguar një agjent për vendosjen e një bombe por që për fat ka dështuar. Në arkivën e Komitetit “Shqipëria e Lirë” ruhet një arsenal i pasur i veprimtarisë së këtij Komitetit. Dr. Prof.Rexhep Krasniqi është autori i qindra artikujve me përmbajtje kombëtare në gazetat dhe revistat më të lexuara të kohës në anglisht dhe gjermanisht që do bënin disa vëllime. Krasniqi është thirrur nga Universitetet më prestigjioze të Europës dhe Amerikës, në konferenca akademika ku ka dhënë leksione të rëndësishme për historinë, luftën për ekzistencë dhe të ardhmën politike të Shqipërisë. Në gazetën “Shqiptari i lirë”, që ishte organ i këtij Komiteti, Krasniqi është autori kryesor që i ka dhënë jetë dhe frymëzim çështjes kombëtare. Është autori i librit “Historia e Shqipërisë”, që deri me instalimin e komunizmit në Kosovë dhe Shqipëri ka qenë tekst për shkollat e mesme. Si zotërues i mjaft gjuhëve të huaja, Krasniqi është edhe autori i shumë librave që për fat të keq nuk e kanë parë dritën e botimit këtu në Shqipëri. Për fat të keq ashtu siç ndodh rëndom kur bëhet fjalë të ndriçohet veprimtaria patriotike e nacionalistëve antikomunist edhe Dr. Prof.Krasniqi ka mbetur e mbuluar me natë. Është për t’u vlerësuar dekorata që ka akorduar Presidenti Berisha në vitin 1994 që e ka dekoruar Krasniqin me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë. Dhe vetëm kaq.
Kurrë nuk mundet të harroj ditën që u ndava me Krasniqin me 14 Shtator 1995. Nuk mundet të besoja kurrë se nuk do e shihja më. Ishim ulur dhe po pinim kafe afër selisë së “Komitetit Shqipëria e lirë”. Nga deti frynte një erë e lehtë. Në hotel “Plaza” flamuri kombëtar i Shqipërisë valvitej pranë flamurit amerikan, pasi shqiptarët e Amerikës i kishin bërë një pritje madhështore Presidentit Berisha. U ndamë me lot në sy duke shpresuar se së shpejti do të takoheshim në Tiranë. Kishte plane të vinte të vizitonte Shqipërinë por planet e tij sipas rrëfimeve të z.Idriz Lamaj u anulluan nga ngjarjet e rënda që ndodhën në Shqipëri me rebelimin komunist të vitit 1997. Në kuadrin e vlerësimit dhe studimit të historisë tonë kombëtare është koha që figura e këtijë nacionalisti patriot dhe shkëncëtari të madh të ndriçohet dhe të marrë vëndin që meriton aty ku e kanë burrat e mbëdhenj të kombit tonë.

...

 Komente

Emri:
E-mail:
Komenti:
Kodi: Shkruani kodin qe shihni me larte...

 
Webmaster LJC-DESIGN   .:|:.   Editor Online: Leonard Quku