Renegatë-mercenarë-jeniçerë, në shërbim të nostalgjikëve - Për fat të keq ortekut antikomunist, që rrëzoi emblemat e diktaturës dhe e bëri molepsësin e demokracisë së brishtë fillestare, Ramiz Alinë, që të mos mundej dot të zbrazte armët që të ruante “të paharrueshmin” Enver Hoxha, - këtij vërshimi të papërmbajtshëm, pra, iu përngjitën, si grerëzat mjaltit, edhe njerëz pa karakter, interesaxhinj, nga ata që një shprehje popullore i përcakton si “me lugë në brez”.
Në një shprehje më të përpunuar, ata nuk janë me tamam vetëm renegatë, por mercenarë të rëndomtë, përfitues të çastit. Nuk do të vononte që të tregoheshin sesa të aftë ishin për t’u blerë. Jo për pesë aspra, siç ishte një shprehje e hershme polemike, por majmërisht. Këta jeniçerë fitimesh të pamerituara, tashmë na hiqen edhe si të përvëluar për demokracinë, duke i shërbyer komunizmit të kamufluar, apo edhe atij açik, që ka dalë me kordhë në shesh të mejdanit.
Këta të patenzonë kanë fizionominë e tyre. Secili e ka kapërcyer rubikonin brenda një nate. Do të mjaftonte një shembull. Nuk do të mëdyshemi që t’ia përmendim édhe emrin personit, në fund të këtij episodi. Duke e lënë përkohësisht pa emër, po e vazhdojmë portretizimin me një shkrim të tijin, në të cilin mburrej sesi kishte marrë mesazhe përgëzimesh të sinqerta për shkrimet e tij kundër PD-së dhe për atë azganllëkun që e kishte quajtur dr. Berishën “komunist” (!), në një panel televiziv. Një batutë hileqare, e paprovokuar, si për të prishur emisionin. Kuptohet se kryetari i PD-së jo vetëm që nuk i dha përgjigje, por edhe nuk denjoi t’i hidhte as sytë: e injoroi! Përgjigjen duket se ia dha një e përditshme, në të cilën një gazetar ribotoi një shkrim të tijin lavdesh të ekzaltuara për PD-në dhe ditirambesh gjer në ekstazë ndaj kryetarit të PD-së. Por deputetit Edi Paloka iu dha rasti, në një debat publik të mëvonshëm, gjithashtu në TV, që ta nxirrte tërësisht zbuluar, në një pohim dëshpërues, kur kapadaiu u ndodh bosh, si të thuash, për një pohim që s’do t’ia falë kurrë vetes. Sesi deputeti demokrat nuk e duroi dot mllefin e këtij personi ndaj ish-partisë së tij, së cilës tani po i jepte munxët, këtë e tregon ky dialog në të cilin vihet në dukje mungesa e karakterit të propagandistit, tanimë, të PS-së.
-Kush je ti, more, që po na bën karshillëk si deputet. Por unë marr të ardhura sa tri rroga të tuat të deputetit! – iu trimërua Palokës.
-Sigurisht, që ti je bërë i pasur. Megjithatë as shtëpinë nuk e bëre vetë, por ta dha Edi Rama! – iu përvesh deputeti.
-Nuk është e vërtetë! – shpërtheu i akuzuari. - As që i kam kërkuar ndonjëherë apartament Edi Ramës! – u përgjegj me një ton mujshar, i sigurt në vetvete, renegati.
- Nuk ia kërkove drejtpërdrejt, por me spont. Zëre se ia ke kërkuar, paçka se ky favor “të dhashë, më jep” t’u bë me ndërmjetësinë e Fidel Yllit, i cili ndërmjetësoi për ty pranë Edi Ramës!
Mustafa Nano (ky është emri i gazetar –politikanit, që marrka tri rroga deputeti, domethënë më shumë se tremijë euro në muaj, plus edhe një apartament, që t’i shtohej zelli i shërbestarit), ky Muç moralisti, pra, nuk diti dhe nuk mundi dot as të shfajësohej më tej!
Dhamë, një portret të kësaj specieje njerëzore!
Ky soj njerëzish të veçantë nuk ngjan asfare me atë zhgënjimin, pas një meditimi të gjatë e të përligjur, gjatë një peocesi të gjatë mendimi të brendshëm, në një analize të thellë që e pozicionon më vonë në ndeshje me ndërgjegjen. (Tani po flasim për personalitete në luftë me ndërgjegjen e tyre, jo për mercenarë zhurmëmëdhenj, që përligjin atë proverbin latin se “Fuçia bosh bën më shumë zhurmë se ajo plot, kur rrokulliset”. Kësisoj, ndonëse për kah talenti janë vite drite larg, (ata janë celebritete, këta : qylxhinj ordinerë), janë të pakrahasueshëm për nga karakteri me ish-të gabuarit për njëfarë kohe, André Zhidin (Gide), apo me Zhan-Pol Sartrin, mbase edhe me Majakovskin. Zhidi, e hëngri njëherë pilulën e helmuar kur pranoi ftesën për vizitë të Stalinit, me rastin e një ceremonie për “një paqe të qëndrueshme, kundër imperializmit”. Por u mjaftua me kaq, në ndryshim nga intelektualë të tjerë, që u thurën lavde planeve pesëvjeçare, pasi u kthyen nga zijafeti. Zhidi e nuhati menjëherë mjerimin sovjetik. Majakovski vrau veten. Sa për Zhan-Pol Sartrin, ai bashkë me Simona dë Bovuarin, ishin verbuar ndaj Fidel Kastros. Por edhe këtë çift, si duket, inteligjenca e pazakontë e tyre, e ndërthurur me ndërgjegjen ngcmuese, e prunë në udhën e Perëndisë. Këtë e dëshmon ky pasazh i një politologu shqiptar, profesor universiteti në Argjentinë, fragment të cilin po e citoj:
”Në një bisedim të shkurtër që pata me filozofin frëng, Zhan Pol Sartre, kur ky erdhi mik i ftuar i Universitetit në të cilin unë jepja édhe leksione të filozofisë së tij, ky më tha: -“Sa më shumë i sinqertë, i vendosur, i zgjuar, trim të jetë një komunist – kryetar shteti, aq më shumë gabime do të bëjë; aq më të pakorrigjueshme e të tmerrshme do të jenë ato, duke mos pasur tjetër alternativë veçse krimin, për të vazhduar në udhën e tij të gabuar, i udhëhequr nga filozofia mashtruese marksiste-engeliste-leniniste”.
Kazus apo “krizë”? - Fjala e parë është në mendimin demokratik të njerëzve për të cilët interesat e Shqipërisë qëndrojnë mbi interesat partiake; aq më keq kur këto interesa vetjake qëndrojnë përmbi interesat vetjake dhe meskine të një njeriu nevrastenik dhe ambicioz, që shpërfill edhe klauzolat e statusit të partisë së tij. Fjala e dytë është një sajesë groteske, - për të krijuar një gjendje pështjellimi dhe një kaos të pamotivuar, e një personi të sfazuar, Un-i patologjik i të cilit është një rrezik i njëmendtë për fatet e atdheut e të kombit. Shkurt fare, “kriza” është një batakçillëk i qartë, për të mbajtur abuzivisht kryetarllëkun në parti.
Kazusi përcaktohet në fjalorin e Paolo Kolombos si “hamendësim i një fakti për të zgjuar një debat” (f. 145). Casus belli (lat.) përkufizohet si “shkak për luftë, fakt i supozuar për të përligjur luftën”. Është ky shkak që ka sjellë si pasojë një ”krizë” të paqenë, e cila quhet e qenësishme vetëm nga dy kategori njerëzish: Nga ajo pjesë e kufizuar kontingjentesh të implikuar në krimin komunist, që bën ligjin në PS; por edhe nga njerëzit e zvetënuar, mercenarë që lundrojnë në bollëk, - për të cilët kemi folur në fillim të këtij shkrimi, - njerëz të cilët nuk kanë as thërrimen e ndërgjegjes kur flasin nga mëngjesi në darkë për krizën e fantastikuar. Këta jeniçerë të degraduar në ndërgjegje, janë në kor për të na propaganduar një mjegullnajë inekzistente, si lakenj të paskrupullt të një skizofreni, që ka paturpësinë të flasë edhe si antienverist, madje edhe si dhjetorist, kur u orvat të rrasej në këtë lëvizje demokratike, por u konsiderua si kalë troje në atë lëvizje dhe nuk vuri dot as majat e thonjve të paprerë të këmbës. A mund të bëjë një dhjetorist ato që u bënë në Pezë, për apoteozën e Enver Hoxhës? A mund të durojë një antikomunist dhe një dhjetorist që bijtë e bijat e firmëtarëve të internimeve dhe të ndëshkimeve gjer në vdekje, t’i mbledhë si propagandistë papagaj të tij, paçka se ata/ato ngulmojnë se e kanë për nder që janë bij persekutorësh? Tani na flet edhe për “popullin” opozitar! Ndërkohë kur, përveç demokratëve të përkushtuar, édhe socialistët e Levizjes Socialiste për Integrim, por edhe Lëvizja për Mendimin e Lirë, nuk do të pranonin të rreshtoheshin në atë të ashtuquajturin “popull” që ekziston vetëm në imagjinatën e përdhosur të Edvin Ramës. Siç është vetëm një përfytyrim edhe “kriza”, së cilës i bëjnë jehonë vetëm “kontingjentet”, si edhe renegatët, mercenarët, jeniçerët, në shërbim të nostalgjikëve.
|  Komente |