Nisma e Presidentit të Republikës për të ndërmjetësuar mes dy partive më të mëdha të vendit në kushtet e funksionimit të pjesshëm të Parlamentit, ndonëse e vonuar, mbart ende vlerat e veta. Po të lexoheshin drejt deklarimet diplomatike të ndërkombëtarëve, qysh se Edvin Rama dha shenjat e para të një aventure politike me kosto të rëndë për vendin, një ndërmjetës me autoritetin e nevojshëm që ta shtronte në lëmë kalin e azdisur, ndoshta do të ishte gjendur me kohë. Sot, afro pesë muaj pasi Parlamenti i ri filloi punimet si gjysmagjeli i përrallës, edhe Presidenti, edhe ndërkombëtarët edhe cilido faktor tjetër ndërmjetësues, duhet të kenë nxjerrë mësimet e duhura se si mund të frenohej një çmenduri politike e përmasave që po përjetojmë. Kalin në lëmë nuk e shtron lutja me aman e me derman, as torba me tagji, as diplomacia. Përkundrazi, e shtron kamxhiku. Në këtë kuptim, nisma e zotit Topi mbush një zbrazësi më tepër formale sesa thelbësore. T’i mbushësh mendjen kreut të opozitës shqiptare se bojkoti i tejzgjatur jashtë çdo parashikimi dëmton njëherësh partinë e tij dhe aspirata e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Europës së Bashkuar, është njësoj si të rrahësh ujë në havan. Gjithsesi, edhe ky hap i nevojshëm, me sa duket, po hidhet. Le të shpresojmë se do të jetë e fundit pikë uji që mund të mbajë gota. Përtej kufirit të mundshëm, ajo do të fillojë të zbrazet. Pas kësaj, i vjen radha kamxhikut që, me siguri, do ta dredhë i zoti i lëmit, çka do me thënë anëtarësia socialiste e cila, kashtë e koqe, nuk mund të presë tjetër përveçse kalbëzimit.
***
Bojkoti i Ramës është një bashkësi alibish për të fshehur humbjen e 28 qershorit, si edhe një trampolinë për t’u rikthyer në politikë me autoritetin e munguar qysh në krye të herës. Alibia filloi me kërkesën e rinumërimit të votave në disa qendra zgjedhore, pastaj me kërkesën e pakuptimtë për hapjen e kutive këtu e atje, pastaj me hapjen e kutive, pa këtu, pa atje. Spiralja erdhi në ngjitje. Absurdi arriti kulmin kur Edvin Rama deklaroi se nuk kërkonte ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, por vetëm hapjen e kutive (!), ndonëse Kolegji Zgjedhor, më i larti organ kushtetues për të marrë vendimin përkatës, e kishte mbyllur çështjen njëherë e përgjithmonë. Mos kishte lajthitur Rama kur kërkoi të pamundurën për asgjë? Jo. Ishte tamam në truallin e vet, në atë të alibisë. Problem, nuk ishin dhe nuk janë kutitë. Problem, është përfitimi, pazarllëku. Në fëmijërinë time, një rrugaç hipte mbi çati dhe e kërcënonte të ëmën se, po të mos i jepte kaq e aq lek, do të hidhej nga çatia. Hidhu! – i duhej thënë. Por jo. E ëma hynte në pazar me të birin: Nuk kam aq sa kërkon ti, por kaq sa më gjenden në xhep. Fëmija rrugaç ia kishte arritur qëllimit.
Ka plotësisht të drejtë deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, kur thotë: “...pushteti në tavolinë, është e vetmja gjë që kërkon dhe e vetmja gjë që kënaq Edvin Ramën.”
Në kontekstin e pazareve politike - çka nuk duan me thënë assesi kompromise politike - mendja djallëzore e një kumarxhiu me komplekse të pafund ligësish mund ta shndërrojë tryezën e thirrur prej Presidentit në një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e politikës shqiptare. Të ulesh përpara të ligut në një tryezë bisedimesh dhe të cedosh në të drejtat e tua kushtetuese, do të thotë t’ia mbash vetes sate mu në lule të ballit. Ndonëse Kryeministri Berisha ka përjashtuar çdo lloj tjetër bisede në atë tryezë përveç hyrjes në Parlament, kjo nuk do të thotë se i çorodituri kryetar i opozitës nuk e mban të fshehur alibinë nën mëngën e xhaketës. Apo nuk i ka të gjata mëngët ai!
Sipas shenjave, befasia gjatë ose pas bisedimeve nuk do të përbënte ndonjë të papritur.
***
Dyshimi i parë që i lind një vëzhguesi në rrjedhën e sotme të zhvillimeve politike në Shqipëri, është jetësimi ose jo i tryezës së bisedimeve. Po të gjykosh nga të rejat e fundit, më e mundshmja do të ishte të jetësohej.
Tashmë, të dyja palët janë të interesuara, ndonëse qëllimi nuk është i njëjtë.
Sa i takon kreut të opozitës: Nga njëra anë trysnia e ndërkombëtarëve që vjen duke u shtuar, nga ana tjetër trysnia brendapërbrenda Partisë Socialiste, ai do të ulet në tryezë.
Sa i takon kreut të shumicës qeverisëse: Nga njëra anë qorrsokaku ku opozita kërkon ta futë vendin, nga ana tjetër reformat e pritshme që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament, edhe ky nuk mund t’i shmanget tryezës, ndonëse është treguar përherë i gatshëm për bisedime.
Mirëpo, a do të jetë, vallë, tryeza e zotit Topi në nivelin që kërkon rasti? Le të shpresojmë. Kjo do të ishte më e mira hë për hë. Gjithsesi, pyetjet ndjekin njëra-tjetrën: Një zgjidhje e mundshme a do të ketë garancitë e nevojshme për të ardhmen? Edvin Rama është nga ata që të thonë: “E hodha lumin, të bëfsha kalin!” Si do të lexoheshin, fjala vjen, deklarimet e tij se nuk do të digjen mandatet e fituara më 28 qershor? Shtyje ta shtyjmë apo gajret për rebelët që, tashmë, duhet të jenë shtuar në radhët e të zgjedhurve të PS-së, ende pa mandat?
Thyerja ose mosthyerja e pjesshme e bojkotit nga ana e disa të zgjedhurve do ta shtonte edhe më kaosin politik që mbretëron në të majtën shqiptare, ndonëse do të ishte një “rreze drite në mbretërinë e errësirës”, sa i takon së ardhmes së reformave në Shqipëri. Megjithatë, kjo nuk do ta shëronte plagën.
Varianti tjetër: hyr nga dera e dil nga dritarja, do të ishte një vrimë në ujë, në mos një mahisje e pashërueshme e plagës.
Në këto kushte, kur një e teta e kohës katërvjeçare që një deputet e fiton falë besimit të elektoratit dhe në të mirë të elektoratit, po vjen duke u avulluar.
Ku ishe? Asgjëkund. Po ç’bëre? Asgjësend. Janë të vetmet pyetje- përgjigje që do të qarkullojnë edhe në të ardhmen në mjediset socialiste të Shqipërisë, falë një politikani aventurier që noton mes alibish e pazaresh politike për përfitim vetjak.
|  Komente |