Serbia, ky shtet i lodhshëm për Kosovën, Ballkanin, Europën, Botën, por edhe për vetven, qysh prej dy vjetësh ka thirrur në këtë shërbim, një politikan mjaft të ri. Ai është Vuk Jeremiç, ministër i jashtëm i Republikës së Serbisë, veç 34 vjeç. Edhe pse i shartuar, me babë serb e nënë boshnjake muslimane, edhe pse me përkujdesje sqimtare për pamje fizike alla perëndimore, edhe pse me anglishte të shkëlqyer që e vë në pah qëllimshëm si shenjë euroatlantike, sa herë rrotullon kryet kah Kosova, i zhbëhen të gjitha, sa i del edhe kallai - aspak i zbrujtur në pikëpamje e i zbutur në të thëna, nga krimet e atdheut të babait dhe të tij, ndaj bashkatdhetarëve të nënës dhe fqinjve shqiptarë. Ministri i jashtëm Jeremiç është më i vrazhdti zyrtar, i tretë në radhë, pas Patriarkut Irinije dhe Presidentit Tadiç. Kryediplomati serb, gjatë 24 muajve në detyrë, ka shkuar në 90 vende, domethënë 4 udhëtime në muaj, afërsisht për çdo javë në fluturim, me aeroplanin Falkon 50, i vjetër 30 vjet, i blerë nga Tito, që kur Vuk ishte 4 vjeç, kryesisht vetëm për të bllokuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ndër udhëtimet diplomaci - turizëm, pjesëmarrja në Samitin vjetor të Unionit të Afrikës, më 27 janar 2010, duhet cilësuar më i pacipi i politikës së Beogradit. Me vajtjen në Adis Abebë dhe fjalën e mbajtur në Samit, Jeremiç bëri kolonizatorin - pelegrin: kryediplomati i Serbisë, këtij shteti kolonizator të rënë nga vakti, përfaqësuesve të shteteve afrikane ua vuri mbi tavolinë “Gogolin Kosovë”, duke shtjelluar “këcënimin serioz” që i vjen Afrikës nga ky model. Ai u bëri të ditur atyre shkakun e rrugëtimit të tij të gjatë se, “ kam ardhur sot këtu që t’ju ftoj t’i mbani parimet tuaja të rezervuara për çështjen e Kosovës “, por dhe u përpoq t’i trëmbte duke hamendësuar që, “ Imagjinoni sa shtete të këtij kontinenti të madh do të prekeshin nga legjitimiteti i ndarjes së detyruar “. Përveç se kaq, ai bisedoi me përfaqësues të 24 delegacioneve dhe u ndje i pakënaqur që, 16 vende ndjeheshin nën trysninë e shteteve shumë ndikuese, për të njohur pavarësinë e shtetit më të ri të botës.
Brenda asaj jave, kur Jeremiç paralajmëroi që nga Samiti në Adis Abeba, për rrezikun e Kosovizimit të Afrikës, Tadiç që nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB në Nju Jork, përsëriste “kurrën” e tij se, Serbia nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, ndërsa Patriarku i Kishës Ortodokse, nga Beogradi shpalli se serbët do të presin edhe 2000 vjet deri sa të kthehen në “Jeruzalemin e Serbisë”.
Kolonializmi, në kontinentin e Afrikës, ka marrë fund qysh prej gjysmë shekulli por, pesëdhjetë vjet më vonë, atje shkoi Vuk Jeremiç si një kolonizator - shëtitës, duke iu lutur shteteve afrikane ta ndihmojnë Serbinë për t’u rikthyer në koloninë e dikurshme. Shtetet e kontinentit të madh të Afrikës bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme të ndërtohen e forcohen, për të tejkaluar pasojat e kolonializmit skllavërues, siç edhe Kosova në Europë, mezi doli nga po ajo e keqe dhe përballet me vështirësi të mëdha për të ndërtuar e zhvilluar shtetin e vet. Koha rrjedh shpejt edhe në Afrikë, por Serbia s’ka kohë të sotme, sepse për të ka vetëm politikë për një pushtim të humbur. Jeremiç përhap ide kolonizatore me diplomaci horror. Me po këtë mendësi bëri protestë dhe ndaj ndërkombëtarëve në gazetën “Politika”, duke thënë që, “Ne nuk e pengojmë pjesëmarrjen e institucioneve të përkohshme kosovare në aktivitetet rajonale, por vetëm se pranojmë formatin, i cili është vendosur në vitin 1999, me rastin e miratimit të rezolutës së OKB dhe kjo është që delegacioni nga Prishtina mund të marrë pjesë në to, duke qendruar ulur mbas tabelës “UNMIK-KOSOVO”, në prani të një përfaqësuesi të OKB-së”. Por institucionet e Kosovës nuk janë të përkohshme, sepse pavarësia është e përhershme. Kosova nuk është koloni, por shtet i pavarur. Kosova nuk është tabelë, por Republikë. Ajo që bën Kosova, është ndërtimi i shoqërisë demokratike shumëetnike e cila sulmohet, që nga Beogradi deri në Adis Abebë, me thirrjen që, “Kufijtë e çdo shteti multietnik do të kërcënoheshin duke prodhuar joistabilitet në të gjitha pjesët e Afrikës”. Kryediplomati serb shpenzon energjitë për një çështje të përfunduar: nëse citojmë nga intervista e tij në TVS, se Serbia “ka humbur aktin e parë”, dhe akti i parë ishte lufta, Serbia e humbi edhe aktin e dytë që ishte pavarësia, dhe, Serbia e ka të humbur edhe aktin e tretë që është njohja ndërkombëtare e Kosovës. Siç Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë u varros, edhe Serbia kolonizatore nuk mund të ngjallet. Gjithë kjo ethe serbe ndihmon për të emërtuar saktë sfidën: për Brukselin nuk është sfidë Kosova, sfidë e Bashkimit Europian është mundja e nacionalizmit serb.
|  Komente |