6 shkurt 1967
Para do kohësh, apo më mirë të themi vite më parë, një grup intelektualësh katolikë të kryeqytetit të Shqipërisë propozuan që shkurti të shpallej "Muaji i kujtimit të martirizimit të Kishës Katolike në Shqipëri" e të kremtohet me lutje e shtegtime ndër vendet ku u rrënuan Kishat dhe u martirizuan meshtarët e laikët katolikë, si dhe qytetarët e lirë, të gjithë të pafajshëm, të gjithë të dashuruar në të vërtetën e lirinë njerëzore e qytetare, të gjithë të përkushtuar për të punuar për të mirën e popullit e të vendit, po kjo mjaftonte për regjimin komunist e ateist për të arsyetuar përndjekjet, burgosjet, vrasjet e personave e mbylljen e institucioneve fetare e intelektuale dhe tempujve të Zotit. Koha e pohoi të vërtetën. Pra, kanë kaluar mëse 40 vjet nga viti i kobshëm 1967, kur Shqipëria u shpall i vetmi shtet ateist në botë. E tragjedia nisi pikërisht në shkurt të këtij viti, me fjalimin famëkeq kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimeve fetare, mbajtur nga diktatori më 6 shkurt 1967. Më 19 shkurt u ndalua kremtimi i meshës të orës 10 në Katedralen e Shkodrës. Françeskanët morën urdhrin të zbraznin Kuvendin e Gjuhadolit, duke mbartur gjithë ç’kishin në Kuvendin e Arrës së Madhe. Pas një kontrolli të rreptë të sigurimit, u mbyll edhe Argjipeshkvia. Njëkohësisht nisën mbledhjet e lagjeve për demaskimin e klerit, ndër të cilat u dha sinjali i sulmit për mbylljen e të gjitha kishave. Më 4 mars u mbyll Kisha katedrale e Shkodrës e mbas saj, njëri pas tjetrit, të gjithë tempujt e Zotit. E fundmja u mbyll Kisha e fshatit Delbinisht, ku fshatarët rezistuan derisa nisën arrestimet. Të Premten e Madhe të vitit 1967 qeveria komuniste i ngarkoi mbi shpinë Kishës katolike Kryqin e Krishtit. Nisi kështu ngjitja në Kalvar, deri në kryqëzim e deri në ngjallje, në të tretën ditë. E gjatë kësaj ngjitjeje të mundimshme, pati edhe meshtarë si Atë Pjetër Meshkalla, jezuit shqiptar, që morën guximin ta shpallnin haptas të vërtetën mbi diktaturën, duke u bërë shembull për qëndrimin që duhet të mbajë çdo shqiptar përballë mashtrimit e gënjeshtrës qeveritare në çdo kohë.
|  Komente |