Bashkimi Evropian pa Merkelin dhe Junckerin me të ardhme të paqartë

E mërkurë, 07 November 2018 09:01

Nga Agustin Palokaj


Kancelarja gjermane, Merkel, do të largohet nga politika pasi ta ketë kryesimin e radhës së BE-së në pjesën e dytë të vitit 2020, nëse gjithçka shkon sipas planit të saj dhe nuk detyrohet të largohet më herët. Para saj do t’i përfundojë mandati në krye të Komisionit Evropian Jean Claude Junckerit, një veteran tjetër i politikës evropiane. Merkeli dhe Junckeri i takojnë gjeneratës së politikanëve idealistë që punuan shumë për bashkimin e Evropës. Ata janë liderë të vërtetë, që marrin përgjegjësi dhe bëjnë gjëra edhe kur ato nuk janë aq të popullarizuara tek qytetarët dhe edhe kur kjo u kushton politikisht. Merkeli dhe Junckeri nuk kanë pranuar asnjëherë kompromise me populistët dhe ekstremin e djathtë. Por pasardhësit e tyre në skenën evropiane, siç është për shembull kancelari austriak Kurz, janë të gatshëm për kompromise të tilla. Prandaj, me një gjeneratë të re të liderëve politikë evropianë e ardhmja e BE-së bëhet e paqartë.

Në Bruksel, dhe jo vetëm këtu, tash disa ditë temë kryesore e debateve është largimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, nga posti i kryetares së Unionit Demokristian Gjerman e më pas, kur të vijë koha e zgjedhjeve në Gjermani, edhe nga posti i kancelares dhe të largohet krejtësisht nga politika. Përderisa ka njerëz që i gëzohen largimit të saj, madje thonë se do të ishte më mirë sikur të largohej menjëherë, një numër më i madh i njerëzve e shohin largimin e saj si një sfidë të madhe jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për Bashkimin Evropian. Madje më shumë e shohin se sfidë për BE-në sesa për Gjermaninë, sepse, në Gjermani kushdo që është në pushtet ka një rregull, ndërsa në BE nuk ka, sidomos jo tash nëse gjykohet në bazë të sjelljeve të atyre që janë në pushtet në vendet anëtare.

Dilema se çfarë do të bëhet me BE-në dhe si do të funksionojë ajo pa Merkelin, është një dilemë që nxjerr në sipërfaqe një frikë nga e panjohura. Sepse tash e 15 vjet është bërë u vetëkuptueshme që sa herë të ketë konflikte, dilema dhe polemika në BE, të vijë Merkeli dhe ta thotë fjalën e fundit dhe me këtë të zgjidhet ajo çështje. Edhe ata të cilët e kritikojnë Merkelin nuk janë të sigurt se si do të veprojë BE-ja pa të.

Nuk qëndron problemi vetëm tek Merkeli dhe largimi i saj, por te fakti se jo vetëm Evropa, por e tërë botë ka një krizë të mungesës kronike të liderëve të vërtetë. Asnjëherë nuk ka pasur më shumë mungesë të njerëzve të tillë që kanë vizion për të ardhmen, që mbajnë kujtesë nga e kaluara dhe janë të prerë në ruajtjen e vlerave të demokracisë dhe lirive të cilat janë dukur çështje të garantuara në botën e qytetëruar.

Në Evropë janë në rritje lëvizjet ekstremiste dhe partitë populiste. Në disa shtete ato edhe kanë mbërritur të jenë pjesë e strukturave në pushtet. Kjo nuk ka ndodhur në Gjermani, e cila ka rezerva dhe aversion ndaj partive të tilla edhe për shkak të së kaluarës së këtij kombi. Prandaj të gjithë ata që mendojnë se ekstremistët e Alternativës për Gjermaninë janë rrezik e kanë gabim, sepse ajo parti nuk e kalon 15 %. Pra rreth 80 për qind të gjermanëve, me gjithë rritjen e mbështetjes për ekstremin e djathtë dhe të majtë. Me gjithë pakënaqësitë me partitë tradicionale, megjithatë votojnë për partitë që nuk janë ekstreme dhe të cilat nuk e vënë në dyshim BE-në.

Kancelares Merkel dhe partisë së saj vërtet i është ulur shumë mbështetja. Por Merkel personalisht ende gëzon mbështetje aq të madhe saqë as ëndërr nuk mund të shohin disa politikanë të tjerë evropianë. Edhe pse shpesh, për shembull, flitet se si presidenti i Francës, Emanuel Macron, është një figurë e re dhe lider i ri i Evropës, më i fortë se Merkeli, mbështetja për të në Francë është në nivelin rekord të ulët.

Largimi nga skena politike është një gjë e natyrshme madje e dëshirueshme dhe e domosdoshme. Këtë e di Merkeli dhe ajo largohet edhe për shkak të trendit negativ të mbështetjes për partinë e saj, edhe për shkak të ngopjes me politikë e edhe për shkak se dëshiron të lëshojë rrugë për të tjerët. Vendet që nuk kanë traditë demokratike, kur demokracia më shumë shihet si përpjekje për të mbetur me çdo kusht pjesë e pushtetit, si Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina apo Serbia, nuk përjetojnë shpesh largime të politikanëve nga postet e tyre, pos nëse këtë e bën natyra. Edhe kur janë në opozitë në një mënyrë janë pjesë e pushtetit. Me rëndësi është që të jenë në skenën politike.

E në Evropë tash po dëshmojmë ndryshimin e gjeneratave politike. Kjo ndodh në një moment të çuditshëm për BE-në. Nga aspekti ekonomik asnjëherë në histori punët nuk kanë qenë aq mirë. Asnjë shtet nuk është në recesion, asnjë nuk ka deficit buxhetor të tepruar, papunësia është në nivelin historik të ulët në vetëm rreth 6 për qind dhe të gjitha shtetet, ndonëse në nivele të ndryshme, kanë rritje ekonomike.

Por në aspektin politik dhe moral BE-ja asnjëherë nuk ka qenë më keq. Ka ndasi të mëdha mes shteteve anëtare rreth kuptimit të parimeve të solidaritetit, themel mbi të cilin edhe është themeluar Bashkimi Evropian. Shtetet si Polonia, Sllovakia dhe Hungaria, që kanë përfituar qindra miliarda euro për zhvillim nga fondet e BE-së sipas parimeve të kohezionit dhe solidaritetit, nuk duan të marrin refugjatë dhe ta ndajnë barrën me shtetet e tjera.

Tash edhe shtetet si Holanda e Austria, të cilat janë më të pasura dhe japin më shumë sesa që marrin nga buxheti i BE-së, nuk duan të paguajnë më në mënyrë të njëjtë. Mosgatishmëria për të vazhduar solidaritetin me popujt e tjerë në BE ishte ndër arsyet pse britanikët vendosën të largoheshin nga BE-ja. E ky largim është një gjë shumë e pakëndshme për BE-së, sepse shënon rastin e parë të zvogëlimit të Unionit, i cili historikisht vetëm është zgjeruar.

Brenda grupimeve kryesore politike evropiane tashmë janë duke u përgatitur liderët e rinj politikë edhe për nivelet nacionale edhe ato evropiane. Në Francë tashmë kemi Emanuel Macronin, në Holandë Mark Rutten, në Slloveni Sharecin, në Belgjikë Michelin dhe në Luksemburg Betelin. Këta kanë për të mbetur në nivelin evropian liderët nga radhët e grupimit të partive liberale, parti e cila do ta rrisë ndikimin në nivelin e BE-së.

Nga radhët e Socialdemokratëve nuk janë më politikanë si Romano Prodi apo Martin Shulz. Ndonëse ky grupim është në krizë jashtëzakonisht të madhe edhe në radhët e tyre po dalin emra të rinj, si kryeministri i Spanjës, Sanchez. Ambicie kanë edhe komisari Franc Timmermans nga Holanda dhe Marosh Shevçoviq nga Sllovakia, që duan të kandidohen edhe për kryetar të Komisionit Evropian.

Më aktiv është grupimi i partive demokristiane dhe konservatore të tubuara në Partitë Popullore Evropiane (EPP). Kjo është partia më e madhe, e cila edhe ka pasur rolin kryesor në BE. Por brenda kësaj partie është edhe dallimi më i madh mes partive, varësisht nga cili shtet vijnë. Aty është edhe Angela Merkel dhe rryma e saj e moderuar, por edhe Viktor Orban me politikën e tij autoritare dhe joliberale. Ka brenda këtij grupimi lider të rinj që po marrin gjithnjë e më shumë mbështetje, si: Leo Vardkar, kryeministër i Irlandës, Sebastian Kurz nga Austria, Manfred Weber nga CDU gjermane, që është edhe kandidat për kryetar të Komisionit Evropian, Andrej Plenkoviq nga Kroacia, dhe shumë të tjerë. Tek kjo parti nuk është problem gjetja e liderëve, por drejtimin të cilin do ta ketë.

Me ndryshimet e tilla në skenën politike evropiane, krahas rritjes së forcave populiste, e ardhmja e BE-së nuk është krejtësisht e qartë.

Kancelarja gjermane Merkel do të largohet nga politika pasi ta ketë kryesimin e radhës së BE-së në pjesën e dytë të vitit 2020, nëse gjithçka shkon sipas planit të saj dhe nuk detyrohet të largohet më herët. Para saj do t’i përfundojë mandati në krye të Komisionit Evropian Jean Claude Junckerit, një veteran tjetër i politikës evropiane. Merkeli dhe Junckeri i takojnë gjeneratës së politikanëve idealistë që punuan shumë për bashkimin e Evropës. Ata janë liderë të vërtetë, që marrin përgjegjësi dhe bëjnë gjëra edhe kur ato nuk janë aq të popullarizuara tek qytetarët dhe edhe kur kjo u kushton politikisht. Merkeli dhe Junckeri nuk kanë pranuar asnjëherë kompromise me populistët dhe ekstremin e djathtë. Por pasardhësit e tyre në skenën evropiane, siç është për shembull kancelari austriak Kurz, janë të gatshëm për kompromise të tilla. Prandaj me një gjeneratë të re të liderëve politikë evropianë e ardhmja e BE-së bëhet e paqartë.

Nuk është problem aq shumë rritja e forcave populiste në Evropë, por gatishmëria e partive tradicionale për të flirtuar me to dhe për të pranuar agjendat e tyre, sidomos ndaj migrimit. Ato forca në nivel të BE-së nuk mund të jenë aq të mëdha sa të kenë ndonjë ndikim. Por, gjithmonë duhet të luftohet kundër tyre nëse BE-ja do t’i ruajë vlerat mbi të cilat është ndërtuar e të cilat janë në rrezik.

Merkeli dhe Jucnkeri deri në momentin e fundit i mbrojnë këto parime, por nuk jemi të sigurt se këtë do ta bëjnë edhe të gjithë pasardhësit e tyre. Koha.net

Modifikuar më E mërkurë, 07 November 2018 09:04

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Bardhi: Banda ‘Shullazi’ vendosi Jurgis Çyrben deputet të PS

Politikë

Bardhi: Banda ‘Shullazi’ vendosi Jurgis Çyrben deputet të PS

Ish-ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, të enjten, deklaroi se pas një hetimi të nisur kryesisht në shkurt të 2016, prokuroria për Krime të Rënda vuri nën përgjim dhe vëzhgim Emiljano...

Liga e Kombeve/ Spanja mban Kroacinë në lojë, fitore në limite për djemtë e Daliç

Sport

Liga e Kombeve/ Spanja mban Kroacinë në lojë, fitore në limite për djemtë e Daliç

Kroacia ka arritur të marrë tri pikë shumë të rëndësishme përballë Spanjës, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim në fazën e “PlayOff” në Ligën e Kombeve. Djemtë e Daliç kanë...

Banorët e Astirit: Më parë japim jetën, pastaj shtëpitë

Politikë

Banorët e Astirit: Më parë japim jetën, pastaj shtëpitë

Banorët e zonës së Astirit te Unaza e Re, në kryeqytet vijojnë protestat e tyre, kundër mos kompensimit për prishjen e banesave të tyre. Në ditën e 12 të protestës...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!