Fundi i Republikës së Ambasadorëve

Diel, 14 Prill 2019 10:43
Nga Çim Peka -  14/04/2019
 

Aksioni politik i Opozitës që nga protesta e parë e datës 16 shkurt kur dhe u vendos djegia e mandateve, mbajtja e protestave masive popullore dhe u artikulua kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizonte zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si parakusht për vendosjen e legjitimitetit të parlamentit dhe qeverise, ngjan me një ‘Tango’ politike.

Opozita bën lëvizjen parë, qeveria e pason. Opozita bën lëvizjen e dytë e kështu me radhë. Por në fakt nuk është kështu. Sepse ritmi i lëvizjeve të opozitës nuk pasohet me lëvizjen politike të radhës nga ana e qeverisë.

Qeveria në fakt bën vetëm një lëvizje, që e përsërit vazhdimisht: hedhjen e gazit lotsjellës kundër popullit protestues, dhe ushtrimit të dhunës policore. Arsyeja e kësaj mospërputhje nuk është tek qeveria, por tjetërkund.

 

‘Tango’ pa muzikë në sfond nuk ka. E në rastin konkret, muzikën e luan ose duhet ta luante një palë e tretë. Ajo palë e tretë, janë diplomatët e huaj në Tiranë. Përfaqësues të shteteve dhe institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, të cilët për 29 vjet me radhë, që nga rënia e komunizmit, kanë luajtur rolin e arbitrit.

Është e vështirë të thuash nëse këtë rol ua kemi dhënë vetë ne, apo e kanë marrë përdhunshëm për shkak të nevojës që kemi pasur për ta. Me gjasë të dyja bashkë. Në Tiranë ka shumë përfaqësi diplomatike.

Të vogla dhe të mëdha.

Pesha e tyre është e ndryshme, dhe nuk varet shumë nga madhësia. Për shembull, ambasada austriake është përfaqësi e një shteti të vogël, por influenca e saj në jetën e brendshme politike është me e madhe sasa ajo e Kinës apo Rusisë. Dhe kjo është e natyrshme, për shkak të vokacionit të fortë pro-perëndimor të opinionit publik shqiptar.

Po ashtu, roli dhe pesha e OSBE është më e madhe se ajo e UNDP, apo institucioneve të tjera të OKB-së. Sigurisht që edhe influenca apo ajo që quhet ‘soft power’ e përfaqësive diplomatike të vendeve mike ndjek një hierarki të caktuar.

Së pari vijnë SHBA-të, pastaj Bashkimi Europian, pastaj Gjermania, pastaj Mbretëria e Bashkuar, pastaj Italia, Franca dhe me radhë.

Të gjithë këta janë vende që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik, social, infrastrukturor dhe në fushën e sigurisë. Ndihma e tyre ekonomike në gati tre dekada shkon në disa miliardë dollarë. Falë tyre Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Orientimi politik dhe strategjik i shqiptarëve është tërësisht Euro-atlantik. Mbi 90%.

Të gjitha këto bëjnë që influenca e përfaqësive të tyre diplomatike në Shqipëri të jetë jashtëzakonisht e madhe. Aq e madhe, saqë edhe për një grabitje me armë në avionin gati për nisje në pistën e aeroportit të Rinasit, gjëja e parë që pyesin Shqiptarët është: kanë folur ambasadorët e huaj? Çfarë kanë thënë? Ose, pse nuk flasin.

Sa here ka krizë politike në Tiranë, qytetarët majtas dhe djathtas hapin sytë dhe veshët për të marrë vesh se çfarë thonë e mendojnë të huajt. Nga ana tjetër, aq shumë i fusin hundët në punët e brendshme, a thua janë pjesë e politikës vendase.

Përpos përzierjes në punët që në fakt nuk janë të tyret, mos-mbajtja e një baraslargësie midis palëve fatkeqësisht apo fatmirësisht po i kthen në faktorë irrelevantë më një shpejtësi të frikshme. Dhe ja shikoni:

Në kohën kur parlamenti i Holandës voton për heqjen e liberalizimit të vizave për shqiptarët për shkak të krimit të organizuar shqiptar, pastrimit të parave dhe lidhjeve të këtyre grupeve kriminale me politikën (lexo: qeverinë), ambasada e Holandës në Tiranë i bën thirrje qytetarëve të pakënaqur me qeverinë që të mos protestojnë.

Për gjashtë vjet rresht, Gjermania ka votuar kundër hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian për shkak të mos-plotësimit të pesë kritereve (në vitin 2018 u shtuan në 13 kritere) nga ana e qeverisë që lidhen me shtetin ligjor, krimin e organizuar, sistemin gjyqësor, administratën publike, korrupsionin, etj, dhe nga ana tjetër ambasadorja gjermane del kundër protestave bash për këto pika.

Ambasadori i OSBE del dhe deklaron së në Shqipëri qarkullojnë mbi dy miliardë dollar para të drogës dhe se këto para do të përdoren për blerjen e zgjedhjeve, dhe pas një takimi të thirrur me urgjencë nga Ministri i Brendshëm, del përsëri dhe deklaron se nuk e kishte seriozisht.

Për dy vjet rresht, ambasadori amerikane del çdo javë para mediave për të folur për dy kriminelë ordinerë, trafikantë drogë, Shullazin dhe Balilin, por nuk ndjehet kur del qartë me zë dhe me figurë ne media të tyre si Zëri i Amerikës, që në dy dosje hetimore të prokurorisë rezultojnë as më shumë e as më pak të përfshirë në përdorimin e grupeve të krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar e gjithë hierarkia shtetërore duke nisur me vetë Kryeministrin, e në vazhdim me ministrat e tij, deputetët e tij, zyrtarët lokalë të tij, të gjithë hierarkinë drejtuese të policisë për blerjen e votave dhe ndryshimit të rezultatit elektoral me të paktën 20%, në 8 nga 12 qarqet e vendit, dhe prapë se prapë, sipas tyre opozita dhe populli nuk duhet të protestojnë.

Por, për ironi të fatit, bash për shkak të këtij qëndrimi ka ardhur koha tu themi FALEMINDERIT!

Në një vend të varfër me vetëm 2.6 milionë banorë, 150.000 protestues në shesh janë shumë. Tepër shumë. Çdo politikan i çdo vendi Europian as në ëndërr nuk sheh një miting me një numër të tillë.

Në tre protesta të mëdha në tre muaj numri i tyre vetëm është shtuar, si për inat të këtyre ambasadorëve. Dhe tashmë është e qarte, dikush për shkak të planit të tyre për ndarjen e Kosovës (me Ramën si garant), dikush nga frika idiote e rikthimit të Sali Berishës në pushtet, dikush për shkak të lobingjeve të Ramës, dikush për shkak të pisllëqeve të ambasadorëve individualë në Tiranë, kanë mbajtur një qasje që nuk është vetëm kundër opozitës, por tashmë edhe kundër vetë shqiptarëve.

Numri i madh i protestuesve tashmë nuk është vetëm kundër qeverisë, por edhe sfidë direkte e këtyre qëndrimeve. Sa më shumë mbajnë anën e qeverisë, aq më shumë dalin. Dhe kjo jo sepse kjo masë protestuese popullore është kthyer në –anti, përkundrazi.

Vokacioni pro-perëndimor i tyre është i palëkundur. Por për vetë faktin e thjeshtë, se tashmë këta ambasadorë janë kthyer në irrelevantë. Fuqia e tyre magjike është zhdukur. ‘Soft power’ i tyre tashmë nuk është as ‘soft’ e as ‘power’. Fundi i qeverisë dhe narko-shtetit të ngritur nga Edi Rama, është një e mirë.

Fundi i Republikës së Ambasadorëve është tjetra.

Në fakt po arrijmë aty ku duhej të ishim që në fillim.

Shqiptarët punën e tyre, ambasadorët punën e tyre.

Si kudo në botë.  

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

I frymëzuar nga komediani ukrainas që fitoi zgjedhjet, aktori i njohur shqiptar “shpall” kandidaturën për President

Aktualitet

I frymëzuar nga komediani ukrainas që fitoi zgjedhjet, aktori i njohur shqiptar “shpall” kandidaturën për President

Në Ukrainë u zgjodh javën e shkuar President i vendit komediani i njohur Vlodimir Selenksi, i cili fitoi me një rezultat të thellë përballë miliarderit Petro Poroshenko, i cili garonte...

Do të futemi ndonjëherë në BE’?!/ Shpërthejnë memet në rrjet

Aktualitet

Do të futemi ndonjëherë në BE’?!/ Shpërthejnë memet në rrjet

Memet për pranimin e Shqipërisë në BE kanë plasur në rrjetet sociale dhe mediat online. Një prej tyre është edhe kjo e fundit, ku është një burrë që pyet gran nëse...

Shpërthim në Siri, vdesin 15 persona

Globi

Shpërthim në Siri, vdesin 15 persona

15 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë i një shpërthimi të ndodhur në qytetin Idlibit në veriperëndim të Sirisë. Tre ndërtesa në qytetin e Jisr al-Shughour u shkatërruan nga shpërthimi...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!